Trajnim për novatorët e ri

Fondacioni për zhvillimin e kulturës dhe arsimit ALBIZ, më 10 mars 2021, në hapësirat e Social Innovation HUB, në kuadër të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, e realizoi trajnimin për novatorët e ri me temë “Menaxhimi me biznese”.

Gjatë trajnimit, studentët e profileve të ndryshme patën mundësi të njihen me rregullat dhe teknikat kryesore se si t’i zhvillojnë dhe t’i prezantojnë idetë e tyre të biznesit përmes punës grupore. Trajnimi u zhvillua në mënyrë interaktive përmes shkëmbimit të ideve dhe përvojave të ndryshme. Trajnimin e realizoi Visar Ademi, ekspert i fushës dhe drejtor ekzekutiv i qendrës “Karriera ime”.

Trajnimi është pjesë një serie trajnimesh për novatorët e ri në kuadër të projektit regjional “The European Union, Innovation & Media Partnership for Action, Collaboration and Transformation in the Western Balkans” – (EU-IMPACT-WB). Projekti realizohet nga pesë partnerë nga vendet ballkanike Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi, në periudhën prill 2018 – qershor 2021.